Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Nga Arkivi tek Dija – Ndërtimi i Studimeve mbi Sigurimin e Shtetit në Shqipëri

Fjalë hapëse në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Aspekte të përndjekjes politike të ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar (1944–1991)”, 29-30 qershor 2026

Nga Dr. Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH

PSE JEMI SOT KËTU?

Të nderuar kolegë,

Të nderuar studiues,

Të nderuar ish-të përndjekur politikë,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Të dashur miq,

Sikurse edhe ju, pas pothuajse dhjetë vitesh që merrem me studimin e Sigurimit të Shtetit, kam ende një pyetje të thjeshtë: Çfarë është Sigurimi i Shtetit?

Për shumicën e shqiptarëve, përgjigjja është e menjëhershme: një institucion represiv; një instrument i diktaturës; një simbol i frikës. Të gjitha këto janë të vërteta.

Por, për ne që merremi me kërkimin shkencor, kjo përgjigje nuk mjafton. Pyetjet që na shtyn historia të bëjmë janë shumë më të ndërlikuara.

Si funksiononte ky institucion? Si organizohej? Si prodhonte informacion? Si e ndërtonte kategorinë e “armikut”? Si e krijonte rrjetin e bashkëpunimit? Si ndikonte në jetën e përditshme? Dhe, mbi të gjitha, si mund ta studiojmë sot me rigorozitet shkencor? Si mund t’ia shpjegojmë këtë publikut? Po brezave të rinj?

Pikërisht këtu fillon edhe arsyeja e kësaj konference.

Ne nuk jemi mbledhur sot vetëm për të kujtuar apo për të dëshmuar. Jemi mbledhur për të kuptuar. Sepse shoqëria demokratike nuk ka nevojë vetëm për kujtesë; ajo ka nevojë edhe për dije.

Dija nuk lind vetvetiu. Ajo ndërtohet përmes kërkimit, analizës dhe interpretimit shkencor. Kërkimi i mirë nuk mjaftohet me përgjigje sipërfaqësore; ai kërkon të depërtojë më thellë, duke iu përgjigjur vazhdimisht pyetjes “pse?”. Ky proces kërkon burime, burimet kërkojnë metodë, ndërsa metodat, paradigmat, analizat dhe përfundimet kërkojnë debat.

Prandaj kjo konferencë nuk është vetëm një aktivitet shkencor. Ajo është një forum ku lindin pyetje të reja, sfidohen qasje të vjetra dhe merr formë një fushë kërkimore që në Shqipëri është ende në zhvillim: studimet mbi Sigurimin e Shtetit gjatë diktaturës komuniste.

II. SI LINDI NË BOTË KJO FUSHË STUDIMI?

Nëse do të ktheheshim pas në kohë, do të shihnim se, për shumë dekada, studiuesit nuk i trajtonin policitë sekrete si një objekt studimi më vete. Vëmendja e tyre përqendrohej kryesisht te natyra e regjimeve totalitare.

Në vitin 1951, Hannah Arendt botoi veprën monumentale “The Origins of Totalitarianism”, duke argumentuar se terrori nuk ishte një devijim i pushtetit, por vetë mënyra e funksionimit të tij.

Pak vite më vonë, Carl J. Friedrich dhe Zbigniew Brzezinski, në veprën “Totalitarian Dictatorship and Autocracy” (1956), përshkruan karakteristikat institucionale të shtetit totalitar, duke e vendosur policinë sekrete në zemër të sistemit politik.

Për afro katër dekada, ky ishte debati mbizotërues. Pas shembjes së regjimit nazist dhe zbulimit të përmasave të terrorit stalinist, pyetja themelore që shtrohej ishte:  Çfarë është totalitarizmi?

Por, pas rënies së Murit të Berlinit dhe hapjes së arkivave në Europën Qendrore dhe Lindore, panorama ndryshoi rrënjësisht. Për herë të parë, studiuesit patën mundësi të lexonin dokumentet e KGB-së, të Stasit, të Securitate-s rumune dhe të shërbimeve të tjera sekrete.

Edhe pyetjet ndryshuan. Nga “Çfarë ishte totalitarizmi?” kaluam te “Si funksiononte pushteti?”

Kështu lindi një fushë e re studimore.

Historianë si  Christopher Andrew dhe Vasili Mitrokhin analizuan strukturën dhe logjikën institucionale të KGB-së. Historia e arkivit të Mitrokhinit, i cili nxori jashtë Bashkimit Sovjetik mijëra dokumente sekrete, hodhi dritë për herë të parë mbi mekanizmat e inteligjencës sovjetike dhe funksionimin e KGB-së.

Jens Gieseke studioi rrjetet e bashkëpunëtorëve të Stasit.

Robert Gellately hapi një debat të rëndësishëm mbi rolin e denoncimeve dhe të bashkëpunimit shoqëror në funksionimin e regjimeve totalitare.

Në të njëjtën kohë, Sheila Fitzpatrick, J. Arch Getty, Stephen Kotkin dhe Alexei Yurchak e zhvendosën vëmendjen drejt jetës së përditshme, duke treguar se historia e komunizmit nuk mund të kuptohet vetëm përmes terrorit, por edhe përmes mekanizmave të konformizmit, negocimit dhe mbijetesës.

Kjo qasje, e njohur nga disa autorë si shkolla revizioniste, sfidoi interpretimin klasik të totalitarizmit të përfaqësuar nga Hannah Arendt dhe autorët që ndoqën këtë traditë.

Një zhvillim po aq i rëndësishëm erdhi nga antropologjia dhe studimet mbi arkivat.

Katherine Verdery, duke analizuar dosjen e saj personale të hartuar nga Securitate, dhe Ann Laura Stoler, me konceptin tashmë të njohur “reading along the archival grain”, na kujtuan se dokumenti nuk është kurrë neutral.

Ai është vetë produkt i pushtetit.

Në këtë traditë vendosen edhe reflektimet e Michel Foucault mbi marrëdhënien ndërmjet pushtetit dhe dijes, si edhe ato të Jacques Derrida, i cili në veprën “Archive Fever” (1995) argumenton se arkivi nuk ruan thjesht të kaluarën, por prodhon autoritet dhe formëson kujtesën.

Në dy dekadat e fundit, kësaj fushe iu bashkuan edhe studimet mbi kujtesën kolektive dhe drejtësinë tranzicionale.

Timothy Garton Ash, Aleida Assmann, Jan Assmann, Ruti Teitel, Priscilla Hayner dhe Martha Minow treguan se arkivat nuk kanë vetëm funksion historik.

Ato janë edhe instrumente të së drejtës për të vërtetën, të rehabilitimit të viktimave dhe të ndërtimit të demokracisë.

Sot, studimet mbi policitë sekrete përbëjnë një fushë ndërdisiplinore ku bashkëpunojnë historianë, antropologë, sociologë, juristë, studiues të kujtesës, specialistë të arkivave dhe, së fundmi, edhe ekspertë të humaniteteve digjitale dhe të inteligjencës artificiale.

Pikërisht në këtë traditë ndërkombëtare të studimit të policive sekrete fillon të pozicionohet gradualisht edhe kërkimi shqiptar mbi Sigurimin e Shtetit.

Kjo është fusha në të cilën edhe Shqipëria po fillon të japë kontributin e saj.

III. EKOSISTEMI SHQIPTAR I KUJTESËS: NGA DËSHMIA TEK KËRKIMI SHKENCOR

Edhe Shqipëria ka ndjekur rrugën e saj. Një rrugë më të vonshme, më të vështirë, por njëkohësisht shumë të veçantë.

Sot besoj se mund të flasim për ekzistencën e një ekosistemi shqiptar të kujtesës. Një ekosistem ku bashkëjetojnë arkivat, dëshmitë, studiuesit, universitetet, institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile, familjet dhe vetë qytetarët.

Ndërsa në Europë zhvilloheshin teoritë mbi totalitarizmin dhe mekanizmat e tij, në Shqipëri regjimi komunist vijonte të mbetej një nga format më të mbyllura të stalinizmit. Në këto rrethana, zhvillimi i një mendimi kritik ishte pothuajse i pamundur.

Megjithatë, edhe në kushtet e censurës dhe të represionit, nuk u ndërpre krejtësisht krijimtaria që dokumentonte përvojën e përndjekjes politike. Veprat e Arshi Pipës, Fatos Lubonjës, Uran Kostrecit, Lazër Radit, Drita Çomos dhe shumë autorëve të tjerë ruajtën një kujtesë alternative, edhe kur një pjesë e tyre nuk mundi të botohej në kohën kur u shkrua.

Në diasporë, kjo traditë u mbajt gjallë nga revista “Shejzat” e Ernest Koliqit, nga veprimtaria intelektuale e Arshi Pipës, nga botimet e Bilal Xhaferrit dhe nga autorë të tjerë që sfiduan versionin zyrtar të historisë shqiptare.

Brenda vendit, Ismail Kadare, përmes një gjuhe alegorike dhe simbolike, arriti të depërtojë kufijtë e censurës, duke ndërtuar në vepra si “Pallati i Ëndrrave” një reflektim të thellë mbi mekanizmat e pushtetit totalitar.

Fjalimin e plotë e gjeni këtu: