Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Hapja e dosjeve dhe përgjegjësia akademike, kryetarja e AIDSSH ligjeratë  dhe takime në institucionet kërkimore të Kosovës

Prishtinë, 15-16 dhjetor 2025 – Në kuadër të një vizite zyrtare në Kosovë, Kryetarja e The Authority for Information on Former State Security Documents, Dr. Gentiana Sula, ishte e ftuar për të mbajtur një ligjëratë akademike në Instituti Albanologjik i Prishtinës, e cila u pasua nga takime pune me dy institucione kyçe të kërkimit dhe dokumentimit në Kosovë.

Në qendër të vizitës ishte ligjërata me temën “Hapja e dosjeve dhe përgjegjësia akademike: diktatura, represioni dhe etika e së vërtetës”, mbajtur për publikun akademik dhe studentor të Kosovës. Duke iu referuar reflektimeve të Hannah Arendt mbi shoqëritë totalitare, Dr. Sula theksoi se e vërteta faktike – ajo që dokumentohet dhe verifikohet – mbetet themeli i debatit publik dhe i kulturës akademike, veçanërisht në shoqëri që kanë përjetuar regjime represive.

Në hapjen e sesionit, Prof. Dr. Nuridin Ahmeti, drejtues i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, vlerësoi rolin e AIDSSH-së si një institucion kyç për ballafaqimin me të kaluarën dhe forcimin e drejtësisë tranzicionale në hapësirën mbarëshqiptare. Drejtuesja e Institutit, znj. , Meliza Krasniqi, nënvizoi rëndësinë e dosjeve të ish-Sigurimit si burime të pazëvendësueshme për studimin e fateve individuale dhe kolektive të shqiptarëve në rajon.

Gjatë ligjëratës, Kryetarja e Autoritetit u ndal veçanërisht te Fondi dokumentar “Kosova”, me mbi 11.600 fashikuj arkivorë, që dëshmojnë ndjekjen e veprimtarëve politikë kosovarë, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe monitorimin e lëvizjeve studentore e intelektuale, veçanërisht gjatë viteve 1981–1982. Ajo theksoi se hapja e dosjeve nuk është akt publikimi i pakontrolluar, por një proces i strukturuar, i bazuar në ligj, profesionalizëm dhe etikë.

Vizita vijoi me një takim pune në Instituti i Krimeve të Luftës në Kosovë, ku delegacioni i AIDSSH-së u njoh nga afër me proceset e mbledhjes, sistemimit dhe ruajtjes së dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë (1998–2000), si dhe me dokumentimin e represionit para luftës. Përfaqësueset e institutit prezantuan punën kërkimore mbi ngjarje si vrasja e ushtarëve shqiptarë në ushtrinë e ish-Jugosllavisë dhe helmimi masiv i nxënësve në vitet 1990–1992, si dëshmi të represionit shtetëror para shpërthimit të luftës.

Në vijim, Dr. Sula zhvilloi një takim zyrtar edhe me drejtuesit dhe studiuesit e Instituti i Historisë Ali Hadri, ku u diskutuan planet për një konferencë të përbashkët shkencore në vitin 2026, kushtuar kufirit Kosovë–Shqipëri si realitet politik dhe njerëzor gjatë periudhës 1944–1991. Drejtoresha e institutit, Prof. Dr. Teuta Shala, shprehu gatishmërinë për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës dhe theksoi rëndësinë e qasjes krahasuese dhe etike ndaj burimeve arkivore.

Në përmbyllje të vizitës, palët vlerësuan se bashkëpunimi ndërmjet AIDSSH-së, Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Institutit të Historisë “Ali Hadri” synon ndërtimin e një hapësire të përbashkët kërkimore, ku historia trajtohet si proces shkencor dhe arkivat vendosen në shërbim të kujtesës historike, drejtësisë tranzitore dhe të vërtetës publike, me qëllim që shoqëritë tona të mos i përsërisin plagët e së shkuarës.