Më 16 nëntor 2026, me rastin e 82-vjetorit të vrasjeve pa gjyq në Tiranë dhe rrethinat e saj, në sallën e Xhamisë së Madhe të Namazgjasë u përkujtuan 39 viktimat e terrorit komunist. Mes tyre ishin intelektualë, akademikë, klerikë, juristë dhe oficerë të lartë, të pushkatuar nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944. Në vitin 2009, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i nderoi me dekoratën “Nderi i Kombit”, me dekretin nr. 6359.
Fjalën e hapjes e mbajti Lulzim Brahja, përfaqësues i familjarëve të viktimave dhe nip i Selim Brahjës, hoxhës së Selitës, i vrarë gjatë terrorit të vitit 1944. Lulzim Brahja e ideoi përkujtimoren në vitin 2004 dhe prej atëherë e organizon dhe e sponsorizon çdo përvjetor në bashkëpunim me Shoqatën “Tirana”.
E ftuar në përkujtimore, kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula, i ftoi familjarët të bashkëpunojnë me Autoritetin për zbardhjen e ngjarjeve në kuadër të “Dialogut për Tiranën”. Ajo solli historitë e Mustafa Greblleshit, që i shkroi të atit nga qelia pa e ditur ku prehej, dhe të Orhan Sakiqit, që priste një letër nga babai me shpresën se ishte ende gjallë. Sula u kërkoi familjarëve të ndajnë kujtimet, letrat dhe fotografitë që kanë ruajtur, në mënyrë që dëshmitë e tyre të shqyrtohen krahas dokumenteve arkivore.
Sula iu referua edhe Historikut të Tiranës, të hartuar nga Sigurimi i Shtetit. Sipas dokumentit, rrjeti informativ i ngritur gjatë luftës mblidhte të dhëna për lëvizjet e pushtuesit dhe për njerëzit që Partia i cilësonte “armiq”. Historiku citon gjithashtu urdhrin e Enver Hoxhës të 17 nëntorit 1944 për “spastrimin” e kryeqytetit. Sipas të njëjtit burim, deri më 26 nëntor ishin arrestuar rreth 300 persona.
Në aktivitet referoi historiani Uran Butka, i cili paraqiti një analizë të krimeve të komunizmit mbështetur në fakte historike. Fjalën e morën edhe ish-presidenti Bamir Topi, prefekti i Qarkut Tiranë Shkëlqim Hajdari dhe kryetari i Shoqatës “Tirana”, Ruzhdi Keçi. Klement Zguri përshëndeti në emër të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, ndërsa Shpëtim Axhami përshëndeti si sekretar i Princit Leka Zogu II.
Të ftuar nderi në përkujtimore ishin Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”, Instituti i Krimeve të Komunizmit dhe shoqatat e të dënuarve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë.
“Dialogu për Tiranën”, bashkëpunim i AIDSSH-së me Shoqatën “Tirana” dhe partnerë të tjerë, nisi në nëntor 2021 me ekspozitën dokumentare “Tirana në sytë e ish-Sigurimit të Shtetit”, për të cilën u deklasifikuan 8.200 fletë dokumentesh.
#AIDSSH#DialoguPërTiranën#KujtesëHistorike
@followers Gentiana Mara Sula @Ruzhdi Keci Shoqata Tirana @Lulzim Brahja @Klement Zguri @Uran Butka @Bamir Topi @Shkelqim Hajdari







