Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Filmi “Vitet e Para” përballet me arkivat dhe dëshmitë: çfarë dinë sot të rinjtë për historinë e Kënetës së Maliqit?

Maliq, 26 tetor 2026 – Si u shndërruan njerëzit që punuan për tharjen e Kënetës së Maliqit në armiq të pushtetit? Si e përdori regjimi komunist kinemanë për të ndërtuar një histori propagandistike? Dhe çfarë dinë sot brezat e rinj të Maliqit për ngjarjet që shënuan historinë e qytetit të tyre?

Këto pyetje ishin në qendër të takimit të Klubit të Filmit, mbajtur sot në Maliq, në kuadër të platformës edukative me burime të hapura “Mësojmë nga e Kaluara 44–91”, një nismë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).

Në aktivitet morën pjesë mësues e pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës, studiues, si dhe u sollën dëshmi të familjarëve të inxhinierëve të dënuar.

Aktiviteti u çel nga Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit, i cili vuri në qendër rëndësinë e njohjes së historisë përmes dokumenteve autentike, dëshmive dhe ballafaqimit të burimeve. Mesazhi kryesor ishte nevoja për të dalluar faktin historik nga propaganda dhe për ta kthyer kujtesën e së kaluarës në një burim edukimi për brezat e rinj.

🎬Filmi përballë arkivave: si u përdor arti në shërbim të propagandës

Rovena Rrozhani, specialiste e edukimit, solli në diskutim filmin “Vitet e para”, duke e vendosur rrëfimin e tij për ngjarjet e Kënetës së Maliqit përballë dokumenteve arkivore, studimeve historike dhe shtypit të kohës.

Në qendër të prezantimit ishte mënyra se si kinemaja e realizmit socialist u përdor për të ndërtuar një version zyrtar të historisë, ku inxhinierët e përfshirë në projektin e tharjes së kënetës u paraqitën si sabotatorë dhe armiq të pushtetit.

Përmes ballafaqimit të filmit me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, dosjet formulare, materialet hetimore dhe burimet historike, diskutimi synoi të nxirrte në pah dallimin mes fakteve të dokumentuara dhe rrëfimit propagandistik.

Ky ballafaqim shërben si një ushtrim i mendimit kritik për nxënësit dhe studentët, duke i nxitur të analizojnë burimet, të ngrenë pyetje dhe të kuptojnë se si propaganda mund të ndikojë në kujtesën kolektive të një shoqërie.

➡️Si kujtohet sot Maliqi? Studimi që zbulon hendekun mes brezave

Në vijim, Prof. Asoc. Dr. Alba Osmani Kreka, pedagoge e Departamentit të Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, prezantoi studimin “Kujtesa historike e Maliqit përmes rrëfimeve gojore”.

Përmes 13 intervistave dhe diskutimeve në fokus-grupe me ish-punonjës të Fabrikës së Sheqerit, banorë të zonës, familjarë të denuareve dhe të rinj, studimi shqyrton mënyrën se si historia e tharjes së kënetës, puna e të burgosurve politikë dhe gjyqi ndaj inxhinierëve janë ruajtur në kujtesën e komunitetit.

Një nga dëshmitë e sjella në studim është ajo e Kel Sharrës, i cili kujton kontributin e të atit, Abdyl Sharra, dhe kushtet e jashtëzakonshme në të cilat u kryen punimet:

“Që ishin në ato kondita, pa mjete, pa asnjë gjë… Si ka mundësi që të ndërtohet me ato mjete, me duar, domethënë? Vetëm vullneti, dëshira e madhe për të ndërtuar vendin…”

Studimi nxjerr në pah një kujtesë të dyfishtë: nga njëra anë, tharja e kënetës shihet si një vepër e rëndësishme për zhvillimin e zonës; nga ana tjetër, kujtohen kostot njerëzore të saj, puna e rëndë e të burgosurve politikë, ndëshkimet dhe shfrytëzimi.

Gjetjet më domethënëse lidhen me brezin e ri. Nga diskutimet me të rinj të grupmoshës 18–35 vjeç rezulton një njohje e kufizuar e historisë së kënetës dhe e procesit politik kundër inxhinierëve.

Në fokus-grupe u regjistruan përgjigje si:“Nuk kemi fare njohuri për tharjen e kënetës.”“Hera e parë që dëgjoj për filmin ‘Vitet e para’.”“Nuk kemi bërë asnjë aktivitet në shkollë… nuk mbaj mend të kemi folur…”

Këto dëshmi ngrenë një shqetësim për mënyrën se si transmetohet historia lokale dhe për vendin që zë kujtesa e diktaturës në edukimin e brezave të rinj.

🗣Dëshmitë njerëzore përballë historisë së shkruar

Takimi solli edhe dëshmitë e dhëna në media shqiptare të Kadri Beqirit, djalit të inxhinierit Kujtim Beqiri; Skënder Stefanllarit, dëshmitar i punimeve për tharjen e kënetës, si dhe Dhimitër Pandeli Zografit. Këto rrëfime plotësuan dokumentet arkivore me përvojën njerëzore dhe pasojat e ndëshkimit politik në familjet e të denuarëve.

Takimi në Maliq vijoi punën e nisur në takimin e zhvilluar më parë në Tiranë, ku u soll kontributi i Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi, me studimin “Fajtorë pa faj: gjyqi kundër inxhinierëve të Kënetës së Maliqit”, i cili trajton procesin politik ndaj inxhinierëve; i Dr. Kejsi Ziu e cila.analizoi aspektet juridike, Dr. Dorina Pojani dimensionin urbanistik e mjedisor dhe Dr. Anxhela Çikopano përdorimin e figurës së gruas në kinemanë e realizmit socialist permes stigmatizimit tipik ” te gruas borgjeze imorale “. Këto studime shërbyen si burime për ballafaqimin e filmit “Vitet e para” me dokumentet arkivore dhe shtypin e kohës.

👥️Nga kujtesa historike te përgjegjësia e mësuesit

Prof. Metin Venxhi solli në diskutim konceptin e “kurrikulës mbi kurrikulën”, duke theksuar se mësuesi ka lirinë dhe përgjegjësinë profesionale të mos mbetet thjesht përsëritës i tekstit shkollor, por të zgjerojë njohuritë e nxënësve përmes burimeve historike, dokumenteve dhe dëshmive. Sipas tij, historia e periudhës 1944–1991 mund dhe duhet të trajtohet në klasë edhe përtej përmbajtjes së teksteve, duke nxitur reflektimin kritik mbi të kaluarën.

Ai ngriti gjithashtu çështjen e ndikimit që kanë pasur nostalgjia për regjimin dhe prodhimet e Kinostudios në mënyrën se si është transmetuar historia ndër breza. Në këtë kontekst, mësuesit kanë mundësinë të sfidojnë rrëfimet e njëanshme dhe t’i ndihmojnë nxënësit t’i kuptojnë ngjarjet në dritën e fakteve, jo të propagandës.

Kjo qasje e vendos mësimdhënien përballë një përgjegjësie qytetare: t’u mësojë brezave të rinj ta njohin historinë ashtu siç dëshmohet nga burimet, të dallojnë faktin nga interpretimi dhe të formojnë gjykimin e tyre të pavarur.

📚Në prag të dhjetëvjetorit të AIDSSH-së, Klubi i Filmit dhe platforma “Mësojmë nga e Kaluara 44–91” synojnë t’i kthejnë arkivat, studimet dhe dëshmitë në burime edukimi për shkollat dhe universitetet, duke mbështetur pikërisht këtë rol aktiv të mësuesit.

Sepse pyetja që shtrohet sot në Maliq nuk është vetëm çfarë ndodhi tetë dekada më parë, por çfarë kujtojmë, çfarë kemi harruar dhe çfarë po u mësojmë brezave që vijnë.

Aidssh – Platforma: “Mësojmë nga e kaluara”, Skender VrioniGjergj Marku,, Altin HoxhaRovena RrozhaniAlba Kreka Osman @Metin Venxha Departamenti HistoriGjeografi Universiteti “Fan Noli”, Korçë, Dorian ZanaliuNajada PendavinjiArkivi Qendror Shteteror i Filmit