Korçë, 28 tetor 2026 – Historia e kampit të internimit dhe punës së detyruar në Valias, e rrëfyer përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive njerëzore, u soll sot për publikun korçar nëpërmjet dokumentarit “Ana tjetër e Valiasit”, një prodhim i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).
Dokumentari u shfaq në kuadër të Korça Film Fest, në Galerinë e Arteve Digjitale (GAD), në praninë e përfaqësuesve të Autoritetit, dëshmitarëve të historisë së internimit, kineastëve, studiuesve dhe të ftuarve.
Në hapje të aktivitetit, regjisori Gledi Bici, drejtues i Korça Short Film Festival, përshëndeti të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të kujtesës historike përmes kinemasë. Ai u ndal te nevoja për të hyrë në dialog me të kaluarën, jo thjesht për të njohur ngjarjet që kanë ndodhur, por për të kuptuar më mirë të sotmen dhe shoqërinë në të cilën jetojmë. Në këtë këndvështrim, kinemaja dokumentare krijon një urë mes brezave, duke sjellë në vëmendje histori të heshtura dhe duke nxitur reflektimin mbi përgjegjësinë që kemi ndaj kujtesës.
Gjergj Marku, anëtar i Autoritetit, vuri në vëmendje rëndësinë e dokumentimit të historisë së kampeve të internimit dhe të punës së detyruar, si pjesë e përpjekjeve institucionale për zbardhjen e së kaluarës dhe ruajtjen e kujtesës historike. Përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive të të mbijetuarve, AIDSSH synon të sjellë në vëmendjen publike historitë e njerëzve që përjetuan represionin komunist dhe t’i bëjë ato pjesë të edukimit të brezave të rinj.
Rovena Rrozhani, skenariste e dokumentarit, foli për procesin e realizimit të filmit, ku dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ndërthuren me kujtimet dhe përvojat e njerëzve që e përjetuan internimin. Përtej shifrave dhe dokumenteve zyrtare, dokumentari kërkon të rikthejë dimensionin njerëzor të kësaj historie, duke i dhënë zë vuajtjeve, qëndresës dhe kujtimeve të familjeve të internuara. Në qendër të rrëfimit janë veçanërisht gratë dhe fëmijët, të cilët mbartën pasojat e ndëshkimit politik të familjarëve të tyre.
Dokumentari, i realizuar nga Rovena Rrozhani dhe Dorian Zanaliu, sjell në ekran kujtimet e të mbijetuarve dhe pasardhësve të familjeve të internuara. Një kontribut të rëndësishëm në mbledhjen e dëshmive ka dhënë edhe Brunilda Çërraga, duke ndihmuar në dokumentimin e përvojave personale që plotësojnë historinë e ruajtur në arkiva.
Në takim foli edhe Ethem Fejzullari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste, i cili e përjetoi internimin në Valias si fëmijë. Dëshmia e tij solli kujtimet e jetës pas telave me gjemba, rojeve të armatosura, mungesës së ujit të pastër dhe kushteve të rënda të jetesës. Në rrëfimet e tij, Fejzullari ka përshkruar edhe pusin me ujë të turbullt, përdorimi i të cilit shkaktonte sëmundje mes të internuarve.
Të pranishëm në shfaqje ishin edhe dëshmitarë dhe të ftuar të tjerë, duke e kthyer takimin në një hapësirë kujtese dhe reflektimi mbi pasojat e internimit në jetën e individëve dhe familjeve shqiptare.
Valiasi, historia e një kampi ku u internuan edhe qindra fëmijë
Kampi i Valiasit, pranë Tiranës, është një nga vendet që dëshmojnë politikën e internimit dhe të punës së detyruar gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
I ngritur fillimisht në vitin 1945 për robërit gjermanë të luftës, kampi u përdor më pas për internimin e familjarëve të personave të arratisur ose të dënuar politikisht.
Në Valias, ndëshkimi nuk kufizohej te individët e konsideruar kundërshtarë të regjimit, por shtrihej edhe mbi bashkëshortet, fëmijët dhe të afërmit e tyre. Të internuarit jetonin në kushte të vështira, nën kontrollin e autoriteteve shtetërore dhe me kufizime të lirisë së lëvizjes, ndërsa detyroheshin të punonin.
Sipas dokumenteve arkivore të vitit 1950, në kamp ndodheshin 820 të internuar, prej të cilëve 372 ishin fëmijë. Këto shifra dëshmojnë përmasat e ndëshkimit kolektiv, që preku familje të tëra dhe fëmijë pa asnjë përgjegjësi personale për veprimtarinë politike të të afërmve të tyre.
Dokumentet e viteve 1950–1952, të ruajtura në Fondin 4, Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit, tregojnë se numri i të internuarve varionte nga 376 në 820 persona.
Një dokument i CIA-s, i datës 12 maj 1951, përshkruan kushtet e rënda të jetesës në kamp: strehimin në kasolle kashte, furnizimin me vetëm 500 gramë bukë në ditë dhe mungesën e ujit të pastër.
Kampi u mbyll në vitin 1952, ndërsa të internuarit u transferuan në kampe të tjera. Megjithatë, pasojat e internimit vijuan të shoqëronin jetën e shumë prej familjeve të prekura.
Nga dokumentet arkivore te kujtesa publike
Dokumentari “Ana tjetër e Valiasit” u prezantua fillimisht në gusht të vitit 2025, gjatë aktivitetit përkujtimor “Valiasi – nga kamp në përkujtim”, organizuar nga AIDSSH në kuadër të Ditës Evropiane të Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.
Shfaqja në Korça Film Fest e solli këtë histori përpara një publiku të ri, duke krijuar mundësinë që dokumentet arkivore të lexohen përmes përvojave të njerëzve që e jetuan internimin.
Përmes këtij dokumentari, AIDSSH vijon përpjekjet për ta kthyer dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit në një burim të hapur njohjeje dhe edukimi, duke i dhënë zë kujtesës së viktimave dhe duke nxitur reflektimin mbi shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë diktaturës komuniste.
Shfaqja e dokumentarit u pasua nga diskutime dhe reflektime të të pranishmëve.
Në mbyllje të takimit, anëtari i Autoritetit të Dosjeve, z. Altin Hoxha, theksoi se edukimi i publikut dhe njohja me të kaluarën përmes projekteve të tilla kërkojnë një përfshirje më të gjerë të pushtetit vendor dhe strukturave arsimore lokale.
Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, shkollave dhe komuniteteve është një nga rrugët më të rëndësishme për ta kthyer kujtesën historike në dije, reflektim dhe ndërgjegjësim qytetar, veçanërisht për brezat e rinj, në mënyrë që njohja e së kaluarës t’i shërbejë ndërtimit të një shoqërie më demokratike dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Në realizimin e dokumentarit një kontribut të rëndësishëm dhane Jonel Hibo, përmes kërkimit dhe studimit të dokumenteve arkivore mbi kampin e Valiasit, të siguruara nga arkivi i AIDSSH-së dhe burime të tjera të hapura.
Historia e Valiasit nuk është vetëm historia e një kampi. Është historia e qindra familjeve, grave dhe fëmijëve, jetët e të cilëve u shënuan nga internimi dhe ndëshkimi kolektiv. Rikthimi i këtyre historive në ekran është një mënyrë për të mos lejuar që e kaluara të mbetet në heshtje dhe për të kuptuar më mirë vlerën e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor sot.
Korça Short Film FestivalAidssh – Platforma: “Mësojmë nga e kaluara”Gentiana Mara Sula,Gjergj Marku,Rovena Rrozhani – Shkrimtare per femijeDorian Zanaliu#BrunaÇërraga, Altin Hoxha, Skender VrioniEt’hem FezollariShoqata Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve Politik Demokrate të ShqipërisëJonel Hibo, Anton Dukagjini




































