Tryeza OSBE–AIDSSH, Tiranë, 24 nëntor 2026
I nderuar z. Tarran,
Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të ASCAP-it, të institucioneve të kujtesës dhe të universiteteve,
Të nderuar mësues, studiues dhe miq nga shoqëria civile,
Më lejoni të nis me një pyetje të thjeshtë.
Çfarë di për diktaturën një nxënës që ulet sot në bankën e shkollës? Ai ka lindur gati dy dekada pasi diktatura ra. Kujtime nuk ka. Ka vetëm atë që i japim ne: shkolla, familja, ekrani.
Dhe nëse ne heshtim, do të flasin të tjerët: me nostalgji, me gjysmë të vërteta, me dezinformim.
Kjo nuk është vetëm një pyetje për historianët. Është, para së gjithash, një pyetje për arsimin. Dhe pikërisht për këtë jemi sot këtu.
Një ide e vjetër sa vetë historia
Më lejoni të ndalem pak te ata që na mësuan si ta lexojmë të kaluarën. Çdo epokë na ka lënë një mësim. Dhe të marra së bashku, këto mësime na tregojnë si duhet ta mësojmë sot historinë e diktaturës.
Mësimi i parë vjen nga Tukididi, gjenerali athinas që në shekullin V para Krishtit shkroi Historinë e Luftës së Peloponezit. Ai nuk u besoi rrëfimeve. I ballafaqoi dëshmitë me njëra-tjetrën dhe e shkroi veprën si “një pasuri për të gjitha kohërat”. Vuri re edhe diçka që ne e njohim mirë: në kohë dhune, fjalët ndryshojnë kuptim. / Edhe diktatura jonë e quajti njeriun “armik të popullit” dhe dënimin “riedukim”.
Mësimi i dytë vjen nga Ciceroni, në veprën De Oratore, shkruar në Romë në vitin 55 para Krishtit. Ai e quajti historinë “mësuese të jetës” dhe i vuri asaj ligjin e parë: / të mos guxosh të thuash asgjë të rreme, / dhe të kesh guximin të thuash gjithë të vërtetën.
Mësimi i tretë vjen nga Ibn Khalduni, në Muqaddimën e vitit 1377. Ai dalloi anën e jashtme të historisë, rrëfimin e ngjarjeve, nga ana e saj e brendshme: kërkimi i së vërtetës dhe i shkaqeve. Dhe propozoi një provë të thjeshtë: para se të pyesësh kush e tha një lajm, pyet nëse mund të ketë ndodhur ashtu. Kur kronikat flisnin për ushtri me qindra mijëra luftëtarë, ai pyeste: a mund të lëvizë e të luftojë një ushtri e tillë? Dhe numrat e fryrë binin vetë.
Ibn Khalduni i emërtoi edhe shkaqet e gabimit: anshmërinë, besimin e verbër te burimi, mosnjohjen e kontekstit dhe dëshirën për t’u pëlqyer të fuqishmëve. / Kjo listë është udhëzim për këdo që lexon sot një dosje të Sigurimit.
Mësimi i katërt vjen nga didaktika e sotme. Peter Seixas e ktheu mendimin historik në gjashtë koncepte që mësohen në klasë: rëndësia historike, prova nga burimet, vazhdimësia dhe ndryshimi, shkaku dhe pasoja, perspektiva historike dhe dimensioni etik. Sam Wineburg na kujton se kjo mënyrë të menduari është “akt i panatyrshëm”: nuk vjen vetvetiu, duhet mësuar.
Për historinë e diktaturës, koncepti i fundit është më i rëndësishmi.
Dimensioni etik nuk do të thotë ta gjykojmë të kaluarën me sytë e sotëm, as ta justifikojmë me rrethanat e kohës. Do të thotë ta njohim padrejtësinë si padrejtësi dhe të pyesim çfarë detyrimi kemi sot: / ndaj viktimave, ndaj kujtesës, ndaj ndreqjes. Jörn Rüsen e quan këtë ndërgjegje historike: kur nxënësi nuk pyet vetëm “çfarë ndodhi?”, / por edhe “çfarë do të thotë kjo për mua, si qytetar?”
Nëse i bashkojmë këto mësime, kemi një program të tërë: / të verifikojmë si Tukididi, / të kemi guximin e së vërtetës si Ciceroni, / të pyesim si Ibn Khalduni nëse diçka mund të ketë ndodhur ashtu, / dhe gjithë këtë ta kthejmë në ndërgjegje qytetare.
Sepse të vërtetat e historisë nuk janë të vetvetishme. Nuk dalin vetë nga dokumenti dhe nuk mbrohen vetë. Një dosje e Sigurimit nuk është e vërteta. / Është zëri i atij që përndiqte. E vërteta lind kur nxënësi pyet: kush e shkroi, me çfarë qëllimi, kush mungon në këtë faqe dhe çfarë thonë burimet e tjera?
[Opsionale] Dhe Milan Kundera, që diktaturën e njihte nga brenda, na la një fjali që mund të qëndronte mbi derën e çdo arkivi: “Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës.”
Shkolla: nga vegël e harresës në vend të së vërtetës
Shqipëria e njeh këtë luftë më mirë se kushdo. Diktatura nuk burgosi vetëm njerëz. Burgosi edhe të kaluarën. Rishkroi tekstet, fshiu emra nga fotografitë, i ktheu fëmijët në “biografi të keqe” dhe kujtesën në faj. Shkolla ishte një nga instrumentet e saj kryesore.
Ky është paradoksi, dhe njëkohësisht detyra jonë e përbashkët: shkollën, që dikur u përdor për të fshehur të vërtetën, le ta bëjmë vendin ku e vërteta zbulohet, pyetet dhe kuptohet.
Dhe duhet ta themi me ndershmëri: kjo histori nuk është mbyllur. Ka ende të pathëna. Ka dosje që sapo po lexohen, emra që sapo po dalin, familje që ende nuk e dinë ku prehen të dashurit e tyre. Edhe ne, brezi që e jetoi diktaturën, nuk i kemi dëgjuar ende të gjitha.
Prandaj le të mos u japim nxënësve një histori të përfunduar për ta mësuar përmendësh. Le t’i bëjmë pjesë të zbulimit të saj.
Le ta sjellim arkivin në klasë
AIDSSH ruan sot një nga pjesët më të rëndësishme të kujtesës sonë kombëtare: dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Por një arkiv që nuk lexohet është një arkiv i heshtur. Dokumentet nuk edukojnë vetvetiu. Edukojnë kur një mësues i sjell në klasë, kur një nxënës i pyet dhe kur një dëshmi e gjallë u jep zë.
Këtu historianët kanë një rol që askush tjetër nuk mund ta zëvendësojë. Rishqyrtimi i historisë së diktaturës nuk është rishkrim sipas nevojave të ditës. Është punë e durueshme me burime: deklasifikim, ballafaqim dokumentesh, dëshmi dhe debat shkencor.
Historiani nuk vjen për t’i dhënë shkollës një version të ri zyrtar. Vjen për t’i dhënë metodën, kontekstin dhe guximin për të thënë: / “këtë ende nuk e dimë”.
Dhe kur dosja flet me zërin e përndjekësit, historiani është ai që kërkon zërin që mungon: / të viktimës, të familjes, të dëshmitarit.
Prandaj le ta studiojmë këtë histori së bashku: historianë, universitete, arkiva e institucione të kujtesës. Dhe le t’i ndajmë rezultatet me mësuesit, sepse një studim që nuk arrin në klasë mbetet në gjysmë të rrugës.
[Opsionale] Prandaj misioni ynë nuk mbaron te ruajtja dhe dhënia e dosjeve. Ai vazhdon në klasë: me Mediatekën, me platformën “Mësojmë nga e Kaluara”, me takimet me nxënës e mësues dhe me burimet që i vëmë në dispozicion të shkollave.
[Opsionale] Por e dimë mirë: asnjë institucion nuk mund ta bëjë këtë punë i vetëm. Ministria harton politikat. ASCAP-i ndërton kurrikulën. Universitetet formojnë mësuesit. Arkivat dhe muzetë ruajnë burimet. Kurse mësuesit janë ura e vetme e vërtetë drejt nxënësit.
[Opsionale] Nëse këto hallka punojnë veç e veç, nxënësi merr copëza. Nëse punojnë së bashku, merr të vërtetën.
Nga diskutimi te angazhimi
Prandaj le ta kthejmë këtë tryezë nga diskutim në angazhim. Le të nisim me tri hapa:
E para, le të trajnojmë së bashku mësuesit e historisë, me një program të vazhdueshëm, jo me një seminar të vetëm. Një program që i ndihmon mësuesit si ta lexojnë me sy kritik një dokument të Sigurimit, si ta përdorin me respekt dëshminë e një të mbijetuari dhe si t’i menaxhojnë në klasë pyetjet e vështira, emocionet dhe kujtesat e ndryshme familjare. Le të mos e lëmë mësuesin vetëm përballë kësaj historie. Le t’i japim njohuri, materiale të gatshme dhe një rrjet kolegësh e institucionesh që e mbështesin.
E dyta, le të ndërtojmë së bashku burime të hapura digjitale. Jemi në mes të një revolucioni teknologjik. Dokumentet e dixhitalizuara, hartat interaktive, turet virtuale të vendeve të vuajtjes dhe inteligjenca artificiale mund ta sjellin arkivin në çdo klasë, në çdo qytet e fshat, me një klikim.
Por i njëjti revolucion sjell edhe rreziqe: dezinformimin që përhapet më shpejt se e vërteta, imazhet e manipuluara, nostalgjinë e paketuar bukur në rrjetet sociale dhe cenimin e dinjitetit e të privatësisë së viktimave dhe të familjeve të tyre. Prandaj teknologjia nuk e zëvendëson mendimin historik. / E bën atë më të domosdoshëm. Le t’i mësojmë nxënësit jo vetëm t’i gjejnë burimet, por t’i verifikojnë. Pikërisht atë që Ibn Khalduni kërkonte shtatë shekuj më parë.
E treta, le të hartojmë një kalendar të përbashkët ndërinstitucional për vitin 2027, me përgjegjësi të qarta dhe hapa të matshëm. Kështu, vitin tjetër do të mblidhemi jo për të numëruar sërish sfidat, por për të matur arritjet.
Mirënjohje
Falënderoj Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, dhe personalisht z. Tarran, për partneritetin e vazhdueshëm. Falënderoj Rrjetin Europian Kujtesë dhe Solidaritet për praninë e tij. Dhe falënderoj secilin prej jush, veçanërisht mësuesit, që këtë punë e bartin çdo ditë në klasë, shpesh pa mjetet dhe mbështetjen që meritojnë.
Mbyllja
Të nderuar të pranishëm,
Viktimat e diktaturës nuk na kërkojnë hakmarrje. Na kërkojnë diçka më të vështirë: të mos harrojmë dhe të mësojmë.
Brezi që nuk e përjetoi diktaturën nuk mban asnjë faj për të. Por ka të drejtë ta njohë. Le t’ia mësojmë së bashku: / me fakte, me dokumente, me dëshmi / dhe me guximin për të bërë pyetje.
Le të jetë kjo tryezë fillimi i një bashkëpunimi që nuk mbaron në orën 13:40.
Ju faleminderit.
