Shkëlqesi, kolegë të nderuar, të dashur përfaqësues të familjeve,
Ju falënderoj për mundësinë për të kontribuar në këtë diskutim.
Më lejoni ta nis me diçka më të hershme se vetë shteti. Për shekuj me radhë, e drejta zakonore shqiptare rregullonte edhe gjakmarrjen. Burri që vriste një tjetër duhej ta kthente trupin e të vrarit me fytyrë nga qielli dhe t’ia linte armën pranë. Edhe në hakmarrje, të vdekurit i ruhej dinjiteti dhe familjes i ruhej e drejta për të marrë trupin.
Diktatura komuniste e shkeli edhe këtë.
Për më shumë se katër dekada, ajo ekzekutoi mijëra qytetarë të vet, fshehu trupat e tyre dhe nuk ua ktheu kurrë familjeve. Ata u ekzekutuan pas vendimeve gjyqësore ose u vranë pa gjyq. U qëlluan teksa përpiqeshin të arratiseshin ose vdiqën nën tortura. Vdiqën nga rraskapitja dhe uria në burgje, kampe pune dhe kampe internimi. Familjet shpesh e mësonin vdekjen vetëm te porta e burgut, kur shkonin për t’i takuar.
Zhdukja brenda së njëjtës shoqëri
Kjo është ajo që e dallon përvojën tonë nga shumë prej rasteve që diskutohen në këtë sallë.
Në Shqipëri, shteti zhduku qytetarët e vet. Autori i krimit, viktima, dëshmitari dhe informatori i përkisnin së njëjtës shoqëri, shpesh të njëjtit qytet, ndonjëherë edhe së njëjtës familje. Nuk kishte një armik përtej kufirit të cilit mund t’i hidhej faji.
Kjo sjell sfida të veçanta.
E para është stigma. Të zhdukurit u etiketuan si armiq të popullit. Familjet e tyre mësuan se heshtja ishte çmimi i mbijetesës dhe kjo heshtje nuk mori fund me rënien e regjimit.
E dyta është frika. Ata që e dinë se ku ndodhet një trup, shpesh e dinë sepse kanë qenë të pranishëm. Të flasin do të thotë të pranojnë se kanë qenë pranë krimit.
E treta është vetë arkivi. I njëjti shtet që fshehu trupat i dokumentoi vrasjet dhe më pas u përpoq të fshinte gjurmët e veta. Në arkivin tonë kemi procesverbale ekzekutimi nga të cilat emri i vendit është hequr qëllimisht.
E katërta është koha. Në fillim të viteve 1990, autorët e krimeve dhe dëshmitarët ishin ende gjallë. Por kërkimi nuk u kthye në një proces sistematik. Atë e mbajtën mbi supe vetëm familjet. Ato ndiqnin një fjalë, një gisht që tregonte drejt një fushe dhe gërmonin me duart e tyre.
Jo vetëm një detyrë humanitare
Prandaj, më lejoni ta them qartë: kërkimi i personave të zhdukur nga një diktaturë është një detyrë humanitare. Por është edhe një detyrë politike.
Është humanitare, sepse çdo familje ka të drejtën të dijë dhe të varrosë të afërmin e saj.
Është politike, sepse zhdukja me forcë ishte një akt politik. Qëllimi i saj nuk ishte vetëm të vriste një njeri, por ta fshinte atë nga komuniteti dhe nga kujtesa. Rikthimi i një emri është, për rrjedhojë, një pranim publik se këtij personi i është bërë një padrejtësi nga shteti. Shteti demokratik trashëgoi arkivin dhe, bashkë me të, detyrimin e pashlyer.
Një trajtim thjesht humanitar mund të kthehet në një mënyrë të rehatshme për të shmangur përgjegjësinë. Megjithatë, kërkimi nuk duhet të bëhet kurrë instrument i luftës politike. Familjet meritojnë përgjigje, jo të përdoren.
Kush mund ta thyejë heshtjen?
Kush, pra, mund ta thyejë heshtjen në emër të familjeve?
Familjet e thyen të parat. Por ato nuk mund ta mbajnë të vetme këtë barrë dhe as duhet t’u kërkohet ta bëjnë këtë.
Heshtja ishte institucionale. Ajo u krijua përmes urdhrave, dosjeve dhe procedurave. Prandaj duhet të thyhet në mënyrë institucionale, nga një shtet që merr zyrtarisht përgjegjësinë për kërkimin.
Pikërisht për këtë arsye, ligji shqiptar nr. 45/2015 i dha Autoritetit tonë një rol në identifikimin dhe gjetjen e trupave të personave të zhdukur. Ligji na lejon të marrim dëshmi nga persona që kanë dijeni dhe që janë të detyruar të përgjigjen. Heshtja nuk është më një zgjedhje private. Ajo bëhet një çështje publike.
Dhe kur dëshmitarët e gjallë nuk pranojnë të flasin ose nuk mund të flasin më, arkivi mund të flasë në vend të tyre. Dokumentet e hartuara për të fshehur mund të shndërrohen sot në prova që zbulojnë.
Nga arkivat tek identifikimi
Kërkimi nuk është një operacion i vetëm mjekoligjor. Ai është një zinxhir përgjegjësish.
Një dokument mund të na tregojë se dikush është ekzekutuar. Një dëshmitar mund të na tregojë se ku. Një kërkim me metoda joinvazive mund të përcaktojë vendndodhjen e një varri. Analiza e ADN-së mund të rikthejë, më në fund, një emër. Asnjë prej këtyre hallkave nuk duhet të funksionojë e shkëputur nga të tjerat dhe familjet duhet të jenë partnere në çdo hap, jo vetëm dhuruese të mostrave të ADN-së.
Deri tani, Autoriteti ka marrë rreth 460 kërkesa. Kemi miratuar 23 vendime për verifikim, të lidhura me rreth 25 vendvarrime të dyshuara. Në gjashtë prej tyre janë kryer kërkime me metoda joinvazive, së bashku me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, me rezultate pozitive. Në bashkëpunim me bashkitë, i shënojmë dhe i mbrojmë këto vende deri në përfundimin e kërkimit.
Sfidat mbeten të mëdha. Dokumentacioni është i paplotë ose i falsifikuar. Emërtimet e vendeve kanë ndryshuar dhe vendvarrime të dikurshme sot ndodhen nën ndërtesa e rrugë. Kjo është arsyeja pse kërkimi nuk mund të mbështetet vetëm te përkushtimi individual. Ai ka nevojë për procedura, vendime të dokumentuara dhe të dhëna që i mundësojnë brezit të ardhshëm të vazhdojë aty ku ne kemi ndaluar.
Përmbyllje
Zhdukja me forcë mund të vazhdojë të mbetet e pazgjidhur edhe pas ndryshimit të sistemeve politike. Kalimi në demokraci nuk e zgjidh atë automatikisht. Demokracia trashëgon detyrimin për të kërkuar.
Rruga drejt identifikimit nuk nis domosdoshmërisht te vendvarrimi. Ajo mund të nisë në një arkiv, në kujtesën e një dëshmitari ose në një letër të ruajtur nga një familje.
Pas çdo dosjeje qëndron një njeri. Pas çdo mbetjeje njerëzore të paidentifikuar qëndron një emër. Dhe pas çdo zhdukjeje të pazgjidhur qëndron një familje që ende pret një përgjigje.
Puna jonë matet, në fund, me aftësinë për t’i rikthyer personit të zhdukur identitetin, të vërtetën dhe dinjitetin, si dhe për t’i dhënë një përgjigje familjes që ka pritur.
Ju falënderoj.
-Nga dosjet tek identifikimi i të zhdukurve – Fjala e Dr. Gentiana Sulës në Konferencën IV Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur në Baku
Prezantimin e plotë e gjeni këtu:
