Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Avokatët mbrojtës në Gjyqin Special (1945): Roli i avokatisë shqiptare në përballje me drejtësinë popullore

Gjyqi Special i vitit 1945 (1 mars–13 prill) përbën një nga momentet më të rëndësishme në historinë politike dhe juridike të Shqipërisë. I zhvilluar pak muaj pas marrjes së pushtetit nga Fronti Nacionalçlirimtar, ai nuk ishte vetëm një proces penal ndaj 60 funksionarëve të regjimeve të mëparshme, por edhe akti themelues i drejtësisë së re të pasluftës.

Përmes këtij procesi, regjimi i ri hodhi bazat e modelit të drejtësisë popullore, duke e përdorur gjykimin si mjet për legjitimimin e pushtetit të ri politik dhe për spastrimin e elitës politike, administrative, ushtarake e intelektuale të periudhës së mëparshme.

I krijuar posaçërisht për këtë proces, me kompetenca të jashtëzakonshme dhe me një trup gjykues të përbërë kryesisht nga drejtues politikë e ushtarakë, Gjyqi Special u zhvillua mbi bazën e Ligjit nr. 41, datë 23 janar 1945. Në përfundim, 17 të pandehur u dënuan me vdekje, 40 me gjithsej 486 vjet burg, ndërsa 3 u shpallën të pafajshëm.

Edhe pse Gjyqi Special është studiuar gjerësisht nga këndvështrimi politik dhe historik, një aspekt ka mbetur pothuajse i paeksploruar: roli i avokatëve mbrojtës. Ky punim synon të analizojë strategjitë e tyre juridike, argumentimin, ndërhyrjet procedurale dhe mënyrën se si prokuroria dhe gjykata iu përgjigjën mbrojtjes, duke e parë procesin edhe si një moment kyç në historinë e avokatisë shqiptare.

Risia e këtij punimi qëndron në analizimin e Gjyqit Special nga këndvështrimi i historisë së avokatisë shqiptare, duke u përqendruar te argumentet juridike të mbrojtjes dhe te mënyra se si ato u trajtuan nga prokuroria.

Përballë akuzës së përfaqësuar nga Bedri Spahiu, dhjetë avokatë, të diplomuar në universitetet më prestigjioze të Evropës, morën përsipër mbrojtjen e 60 të pandehurve. Dokumentacioni i Dosjes nr. 3715-A të Fondit H-GJ në AIDSSH dëshmon se ata përgatitën mbrojtje të argumentuara, depozituan dokumente dhe ndërhynë aktivisht gjatë procesit, duke sjellë në sallën e gjyqit kulturën juridike të avokatisë shqiptare të kohës.

Nr.AvokatiTë pandehurit që mbrojtiMbrojtja e paraqiturDokumente shtesë
1Aristidh TotozaniFejzi Alizoti, Daut Çarçani, Kostandin Kotta, Zef  Kadarja, Ibrahim Biçakçiu, Akile TasiMbrojtje me shkrimMbrojtje me një sasi deklaratash dhe dokumente për secilin të pandehur
2Spiro StringaSulejman Vuçiterni, Bajram Pustina, Zef Shiroka, Sokrat Dodbiba, Koço KottaMbrojtje me shkrimMbrojtje prej 56 faqesh me deklarata dhe dokumente për secilin të pandehur
3Haki KarapiciRrok Gera, Et’hem Cara, Javer Hurshiti, Sami Koka, Aqif PërmetiMbrojtje me shkrim61 faqe, deklarata dhe dokumente të ndryshme
4Ilia ÇipiXhevat Korça, Gustav Mirdaç, Mahmut Golemi, Umat Kryeziu, Abdurrahman TelqiuMbrojtje me shkrim38 faqe, dokumente, deklarata, fletore zyrtare dhe 6 kopje librash këndimi për Xhevat Korçën
5Muzafer PipaAndon Kozmaqi, Tahsin Bishqemi, Manush Peshkëpia, Lazër Radi, Abedin XhikuMbrojtje me shkrimMbrojtje të veçanta për secilin të pandehur
6Vasil XhajaRefat Begolli, Zejnel Prodani, Tefik Mborja, Ndoc Naraçi, Zef Benussi, Ihsan Libohova, Zija BejleriMbrojtje me shkrim32 faqe, deklarata, raporte, akte zyrtare dhe gazeta
7Kristo ÇeviMihal Sherko, Emin Toro, Mihal Zallari, Koço Tasi, Xhavit Leskoviku, Reshit Merlika, Vangjel Goxhamani, Luigj FilajMbrojtje me shkrim40 faqe, citime nga revista “Tomori”, kopje aktesh, deklarata e dokumente
8Suad AsllaniShuk Gurakuqi, Shyqri  Borshi, Ismail Golëmi, Dik Cami, Nedim Kokona, Ded JakovaMbrojtje me shkrimDeklarata në favor të Ismail Golëmit, Shyqri  Borshi dhe Dik Camit
9Kristaq NiçoKol Tromara, Bahri Omari, Qemal Vrioni, Terenc Toçi, Gjergj Bubani, Bilal Nivica, Vasfi Sami-VllasiMbrojtje me shkrim për secilin veçmasDokumente, deklarata dhe një ekzemplar i librit “Nana Kosovë” të Vasfi Sami-Vllasit
10Vasil BidoshiBeqir Valteri, Hilmi Leka, Fiqri Llagami, Rifat Tatari, Jakov Milaj, Rrok KolajMbrojtje me shkrim56 faqe, deklarata, gazeta dhe dokumente

Tabela paraqet dhjetë avokatët, të pandehurit që mbrojtën dhe dokumentacionin që depozituan. Siç shihet, mbrojtja ishte serioze dhe e argumentuar.

Procesverbalet tregojnë se avokatët nuk patën një rol formal. Ata paraqitën mbrojtje të shkruara, depozituan prova dhe ngritën çështje themelore mbi ligjshmërinë, përgjegjësinë individuale dhe të drejtën e mbrojtjes. Argumentet e tyre na lejojnë të rindërtojmë kulturën juridike të avokatisë shqiptare në prag të transformimit të sistemit të drejtësisë.

 Për shkak të kohës, do të ndalem vetëm te pesë prej tyre, të cilët përmenden edhe në pretencën e Bedri Spahiut.

AvokatiVendlindjaViti i lindjesArsimiDënimi / PërndjekjaViti i vdekjes
Suad AsllaniNepravishtë, Libohovë1903Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Napolit (Itali)Arrestuar më 23.1.1946,bashkë me Gjergj Kokoshin dhe Musine Kokalarin dënuar me 15 vjet burg, u lirua më 1960 dhe më pas internim familjar.1966
Muzafer PipaBursa, Turqi1914Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Padovës (Itali)Arrestuar më 1946; vdiq gjatë hetuesisë pas torturave.“Qytetar Nderi i Shkodrës“, „Nderi i Kombit“ 2008,1946
Haki KarapiciTiranë1913Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Bolonjës (Itali)Arrestuar më 1947; dënuar në procesin e “Grupit të Deputetëve”; kaloi 15vite në burg në TR dhe Burrel. U lirua më 1962. Mbeti i survejuar dhe i diskriminuar nga regjimi deri në fund të jetës.1990
Spiro StringaVlorë1902Doktor në Drejtësi, Universiteti i Romës1952: U arrestua si “agjent anglo-amerikan” dhe “ndërlidhës me Abaz Kupin”. Akuzat ishin të pabaza dhe pas 6 muajsh hetuesie u lirua i pafajshëm. Vazhdoi të punonte si avokat deri në 1966, kur u suprimua avokatia në Shqipëri.1973
Ilia ÇipiKorçë1906Studime juridike në Montpellier (Francë)Nuk rezulton të jetë dënuar politikisht; u godit nga suprimimi i profesionit të avokatit.1978

Pretenca e Bedri Spahiut, paradoksalisht, na ka ruajtur thelbin e argumentimit të avokatëve. Në mungesë të teksteve të plota të mbrojtjeve, ajo shndërrohet në një burim me vlerë për të rindërtuar debatin juridik të zhvilluar në sallën e gjyqit.

Suad Asllani

Suad Asllani, i diplomuar në Universitetin e Napolit, argumentoi se periudha e pushtimit nuk mund të gjykohej me ndarje të thjeshta politike mes “patriotëve” dhe “tradhtarëve”. Sipas tij, jo i gjithë populli mund të dilte në mal dhe përgjegjësia duhej të vlerësohej sipas rrethanave konkrete të secilit individ. Një vit më vonë ai u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg, duke u kthyer vetë në objekt të drejtësisë politike.

Muzafer Pipa

Muzafer Pipa, i diplomuar në Padova, e zgjeron këtë argument duke theksuar se pranimi i funksioneve publike gjatë pushtimit nuk duhej të konsiderohej automatikisht tradhti. Sipas tij, në rrethana të caktuara kompromisi mund të kishte synuar mbrojtjen e popullsisë dhe se motivi i veprimit kishte rëndësi juridike. Bedri Spahiu e hodhi poshtë këtë argument, duke e cilësuar si justifikim të tradhtisë. Në vitin 1946 Pipa u arrestua dhe humbi jetën gjatë hetuesisë.

Spiro Stringa

Një qasje tjetër paraqet Spiro Stringa, i cili e zhvendos debatin në fushën e së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare. Ai argumentoi se pas kapitullimit të Italisë shteti shqiptar duhej të siguronte vazhdimësinë institucionale. Referenca e tij ndaj Makbethit, që gjyqtarët të mos përndiqeshin nga “hija e të pafajshmëve”, u kundërshtua nga Bedri Spahiu me një kundërargument politik dhe emocional.

Haki Karapici

Haki Karapici argumentoi se interesi kombëtar nuk identifikohej vetëm me luftën e armatosur, por edhe me mbrojtjen e popullsisë civile. Në Gjyqin Special ai paraqiti një mbrojtje të shkruar prej 61 faqesh, të shoqëruar me dokumente dhe deklarata, çka dëshmon seriozitetin profesional të mbrojtjes. Dy vjet më vonë u arrestua dhe u dënua në procesin e “Grupit të Deputetëve”.

Ilia Çipi

Ilia Çipi, duke folur në emër të trupës mbrojtëse, theksoi se avokati nuk identifikohet me klientin, por kryen një funksion në shërbim të drejtësisë. Ai kërkoi që çdo mangësi e mbrojtjes të mos interpretohej në dëm të të pandehurve. Ky është ndoshta formulimi më i qartë i etikës profesionale të avokatit në të gjithë procesin.

Fatet e mëvonshme të këtyre juristëve tregojnë se dobësimi i së drejtës së mbrojtjes nuk u realizua vetëm brenda sallës së gjyqit. Shumë prej avokatëve u bënë vetë objekt i ndjekjes penale, çka shënon fillimin e kufizimit të pavarësisë së avokatisë shqiptare.

Përplasja me prokurorinë

Pretenca e Bedri Spahiut nuk kufizohet në kundërshtimin e argumenteve juridike të mbrojtjes. Ajo vë në diskutim vetë legjitimitetin e rolit të avokatit. Argumentet mbi amnistinë, mosveprimin prapaveprues të ligjit, përgjegjësinë individuale apo interpretimin e interesit kombëtar nuk trajtohen si çështje juridike, por si qëndrime politike. Në këtë mënyrë, polemika nuk zhvillohet vetëm mbi faktet, por edhe mbi vetë funksionin e mbrojtjes në procesin penal.

Në këtë kuptim është domethënës formulimi i Bedri Spahiut:

“MBROJTJA E T’AKUZUARVE PARA GJYQIT ËSHTË NJË TJETËR AKUZË PËR TA.”

Kjo tregon se mbrojtja nuk shihej si ushtrim i një të drejte procedurale, por si vazhdim i qëndrimit politik të të pandehurve.

Një formulim edhe më i drejtpërdrejtë është:

“MBI KËTË DËRRASË TË KALBUR SHTRUAN MBROJTJEN E TYRE DISA NGA AVOKATËT.”

Këtu nuk kritikohet vetëm argumenti juridik. Delegjitimohet vetë pozita profesionale e avokatit dhe kultura juridike që ai përfaqësonte.

Nga analiza e procesverbaleve dhe e pretencës së Bedri Spahiut del qartë se në Gjyqin Special u përballën dy mënyra të ndryshme të konceptimit të së drejtës: një kulturë juridike e mbështetur në ligj, procedurë dhe përgjegjësi individuale, dhe modelit të drejtësisë popullore të ndërtuar mbi legjitimitetin politik të pushtetit të ri. Kjo përplasje sintetizohet në tabelën e mëposhtme.

Argumentet kryesore të mbrojtjes, prokurorisë dhe gjykatës në Gjyqin Special të vitit 1945:

Plani i AnalizësArgumentet e AvokatëveQëndrimi i Prokurorisë (Bedri Spahiu)Vendimi i Gjykatës
Strategjia juridike– Ndalimi i fuqisë prapavepruese të ligjit penal – Interpretimi i Kodit Penal ekzistues – Dispozitat e ligjit të amnistisë – Respektimi i procedures– Nuk polemizon me nenet – Kthen çdo argument juridik në moral ose politik– Refuzon interpretimin e amnistisë – Refuzon mosveprimin prapaveprues – Refuzon Kodin Penal të mëparshëm
Strategjia historiko-politike– Muzafer Pipa: kompromisi si mjet për mbrojtjen e interesit kombëtar – Suad Asllani: jo gjithë populli mund të dilte në mal, zgjedhjet individuale duhen gjykuar ndryshe– Kompromisi = tradhti – Mbrojtja shihet si relativizim i bashkëpunimit– Zëvendëson kriterin juridik me kriterin politik – “Interesat e popullit” dhe “lufta” si burim të së drejtës
Strategjia e interesit kombëtar– Haki Karapici: përgjegjësia vlerësohet sipas interesit kombëtar – Stringa: interesi kombëtar nuk identifikohet vetëm me një forcë politike– Paraqet mbrojtjen si sulm ndaj Luftës Nacionalçlirimtare– Vendimi bazohet në “frymën e ligjit” dhe legjitimitetin politik
Strategjia morale– Motivet dhe rrethanat kanë rëndësi – Përgjegjësia individuale ≠ përgjegjësia kolektive– Ridimensionim moral: çdo gabim = tradhti– Nuk pranon relativizimin moral, përdor kriterin revolucionar
Ndërhyrjet procedurale– Pyetje ndaj dëshmitarëve – Kërkesa për dokumente – Kundërshtime procedurale – Individualizimi i përgjegjësisë– Polemizon drejtpërdrejt me avokatët (“Suad Asllani tha…”)– Lejon diskutimin, por nuk pranon asnjë argument kryesor
Argumentimi juridik– Nullum crimen sine lege – Mosveprimi prapaveprues – Interpretimi restriktiv i amnistisë – Përgjegjësia individuale- Prova – Procedura– Zëvendëson analizën juridike me gjuhë politike: populli, lufta, tradhti, morali revolucionar– Vendimi mbështetet në legjitimitetin e pushtetit të ri, jo në normën juridike

Përfundimi

Procesverbalet e Gjyqit Special dëshmojnë se avokatia shqiptare nuk ishte një element pasiv i procesit. Avokatët paraqitën argumente juridike të mirëstrukturuara dhe mbrojtën parime që edhe sot përbëjnë themelin e procesit të rregullt ligjor: përgjegjësinë individuale, respektimin e ligjit dhe të drejtën e mbrojtjes.

Megjithatë, në një proces të dominuar nga modeli i drejtësisë popullore, këto argumente nuk mund të gjenin pranim. Në këtë kuptim, Gjyqi Special nuk shënon vetëm gjykimin e elitës politike të paraçlirimit, por edhe një moment kyç në historinë e avokatisë shqiptare, ku për herë të parë u përballën hapur kultura juridike e avokatisë dhe koncepti i ri i drejtësisë së pasluftës.

Në këtë kuptim, historia e këtyre avokatëve nuk është vetëm histori profesionale. Ajo është pjesë e historisë së marrëdhënies ndërmjet avokatit, drejtësisë dhe pushtetit në Shqipëri.

Mesazhi final

Në Gjyqin Special të vitit 1945 nuk u gjykuan vetëm 60 të pandehurit. U vu në provë edhe vetë ideja e mbrojtjes juridike. Dhe pikërisht këtu fillon historia moderne e përplasjes ndërmjet avokatit dhe pushtetit në Shqipëri.

Ju faleminderit!